Home Events Dielli lind andej nga perëndon

Dielli lind andej nga perëndon

Mustafa Nano vjen për herë të tretë me një monolog në zhanrin “Stand-up Comedy”, në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Ashtu si edhe në dy show-t e tij të parë, Nano trajton tema të mprehta, të cilat në një plan të përgjithshëm kanë në fokus realitetin shqiptar dhe të ardhmen e shoqërisë sonë, e nga ana tjetër, në një kontekst më të ngushtë, është individi e familja shqiptare, që shpesh duhet të tejkalojnë vetveten për të kuptuar se ato që konsiderohen si vlera janë, në fakt, antivlera.
Titulli i kësaj shfaqjeje skenike, “Dielli lind andej nga perëndon”, i referohet mesazhit të famshëm naimian. Dhe ky mesazh shërben edhe si linjë kryesore e monologut, rreth së cilit përqendrohen nëntemat shoqëruese. Mustafa Nano, i cili është autori i tekstit, e në të njëjtën kohë edhe interpretuesi skenik, përdor humorin, satirën, ironinë e autoironinë, tonet analitike, kritike dhe ato ndërgjegjësuese për të trajtuar, kritikuar e për të reflektuar mbi të metat e shoqërisë sonë, të cilat në disa raste janë të rrënjosura prej shekujsh ndër shqiptarë, e për pasojë sjellin (ashtu si pa kuptuar) një prapambetje kulturore e sociale, po aq sa edhe një frymë larg prej emancipimit europian.
Nano nuk ngurron t’i referohet eksperiencave të veta personale, me të cilat mund të identifikohet, sidoqoftë, çdo individ, i cilësdo grupmoshe. Janë fragmentet e përditshmërisë sonë “allashqiptare”, ato që na mbajnë larg kulturës europiane. Tonet e larta të zërit, mungesa e tolerancës, padurimi për të respektuar qoftë edhe një radhë, rregulli i të fortit, hedhja e mbeturinave vend e pavend etj., etj. janë disa nga momentet, që pavarësisht dozave të humorit me të cilat shoqërohen, synojnë të rrisin ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare. “E di ti,… që do të duhen 500-1000 vjet që ajo shishe plastike që sapo hodhe të shpërbëhet, të dekompozohet?… Shumë shpejt ti do të ikësh nga kjo botë, por ai material plastik do të mbetet ende gjallë, një helm i vërtetë për natyrën, do të mbetet babë pas babe, e djalë pas djali, për nja tridhjetë gjenerata të tjera,” shprehet Nano i revoltuar kundrejt të gjithë atyre që neglizhojnë minimalen e një sjelljeje qytetarie.
Sakaq, linja kryesore e këtij “One Man Show” ngërthen hallkën themelore të shoqërisë: familjen shqiptare. Nën ndikimin e kulturës dominuese patriarkale, shpeshherë nën udhëheqjen e mesazheve mizogjinike të “tre librave magjistralë” (i quan Nano): Bibël, Kuran e Kanun, me unin dhe gjaknxehtësinë tipike ballkanase, shoqëria jonë vuan. Vuan në qelizat e saj – gratë vuajnë nën tutelën e burrave (nënshtrim që shumë herë merret si i mirëqenë), ndërsa bijat nën dhunën e konservatorizmat jashtë çdo linje logjike të baballarëve të tyre, duke përfunduar në disa raste në tragjedi – por vuan edhe në planin e vet universal, ku rezultojmë të jemi larg normave të civilizimit europian, e akoma më larg realitetit (praktikisht utopik për ne) të shoqërisë daneze, që është pika e referencës mbi të cilën ndërtohen linjat krahasimore gjatë monologut. “Si mund t’ua mbushim mendjen shqiptarëve se familje e degjeneruar dhe e pamoralshme, nuk është ajo ku gruaja është e barabartë me burrin e vet, motra është e barabartë me vëllain, nëna me babain, por ajo ku gruaja i nënshtrohet burrit, i nënshtrohet me vullnet, me dëshirë, e ndonjëherë me bindjen se ky është sekreti i lumturisë së saj? Sepse ka edhe kështu, ë? Ka gra që janë të kënaqura që janë të skllavëruara. Ashtu si në përgjithësi ka njerëz (gjithnjë ka pasur) të prirur për ta romantizuar e poetizuar poshtërimin, shtypjen e mjerimin e tyre,” vjen mesazhi në një moment, duke drejtuar vëmendjen mbi këtë situatë alarmante.
Një “Stand-up Comedy” gjatë së cilës publiku do të argëtohet e në të njëjtën kohë do të marrë mesazhe ndërgjegjësuese për të “ushqyer” frymën europianizuese në shoqërinë tonë, për të qenë më të hapur, më të paqtë, më pozitivë dhe me një vizion të orientuar drejt perëndimit.

  • 00

    days

  • 00

    hours

  • 00

    minutes

  • 00

    seconds

Leave A Reply: